Policia zhvendos kordonin te Ministria e Arsimit; rriten masat mbrojtëse në godinë
Forcat e rendit kanë ndryshuar perimetrin e sigurisë për protestën e sotme në Tiranë, duke vendosur kordonin më larg Ministrisë së Arsimit. Dera kryesore dhe dritaret e katit të parë janë të fortifikuara, ndërsa në zonë janë vendosur grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Policia ka ndryshuar sot vendosjen e kordonit të sigurisë pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke e spostuar më larg godinës krahasuar me ditët e kaluara. Qëllimi lidhet me menaxhimin e turmës që afrohej nga të dyja anët e rrugës.
Ndërkohë, hyrja kryesore e institucionit është mbuluar me një pllakë metalike dhe dritaret e katit të parë janë përforcuar me elementë hekuri.
Në hapësirën ku një ditë më parë qëndronin efektivët janë konstatuar fishekë plastikë, përfshirë edhe disa të paplasur, të përdorur gjatë përplasjeve të djeshme.
Grupime të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë janë vendosur në krye të Rrugës së Durrësit, si edhe në dy rrugicat që lidhen me të, si pjesë e rritjes së pranisë policore në zonë.











