Pesë ushtrime të thjeshta për ta qetësuar qafën nga qëndrimi para ekranit
Qëndrimi i gjatë para kompjuterit ose telefonit mund të sjellë ngurtësi dhe dhimbje në qafë. Ja pesë lëvizje të thjeshta që ndihmojnë, sipas këshillave të neurokirurgut Anthony Ghosh.

Kalimi i shumë orëve para kompjuterit apo me kokën të përkulur te telefoni shpesh sjell tension dhe dhimbje në qafë. Disa ushtrime të lehta dhe përmirësimi i qëndrimit mund të lehtësojnë shqetësimet, ndërsa neurokirurgu Anthony Ghosh thekson se shtylla kurrizore “ka nevojë për lëvizje”, pasi mbajtja e gjatë e së njëjtës pozë rrit ngarkesën mbi qafën.
1. Kthimi anash i kokës: Uluni drejt dhe rrotullojeni kokën ngadalë nga e majta në të djathtë deri aty ku ndiheni rehat, duke e mbajtur pozicionin për rreth dy sekonda para se të ktheheni në qendër.
2. Qëndrim i rregullt trupor: Mbani kokën në vijë me shpatullat dhe shpinën sa më drejt. Ndryshoni shpesh pozicion dhe bëni pauza të shkurtra gjatë punës në kompjuter.
3. Tërheqja e mjekrës prapa: Me shikimin drejt përpara, tërhiqeni butë mjekrën prapa pa e ulur kokën. Kjo korrigjon prirjen për ta shtyrë kokën përpara kur përdoren pajisjet elektronike.
4. Aktivizimi i muskujve të përparmë të qafës: Shtrihuni në shpinë me gjunjët e përthyer, afroni lehtë mjekrën drejt gjoksit dhe ngrini pak kokën nga sipërfaqja vetëm nëse lëvizja është e rehatshme, pa e sforcuar qafën.
5. Forcimi i muskujve të thellë: Uluni në karrige me mbështetëse koke, shikoni përpara dhe shtypni lehtë pjesën e pasme të kokës mbi mbështetëse duke tërhequr njëkohësisht mjekrën pak drejt gjoksit. Mbajeni disa sekonda dhe relaksohuni.











