Përplasjet para Kryeministrisë: policia përdor gaz lotsjellës dhe autobote uji për të shpërndarë protestuesit
Forcat e rendit ndërhynë me gaz lotsjellës dhe tre autobote uji për të hapur rrugën para Kryeministrisë. Një gazetar në terren raporton për bombola me kalibër më të madh dhe për studentë të mjekësisë që u ofruan ndihmë protestuesve.

Policia ndërhyri sot në numër të madh për të shpërndarë protestuesit pranë Kryeministrisë në Tiranë, duke përdorur gaz lotsjellës dhe tre autobote me ujë për të hapur rrugën.
Sipas raportimeve nga terreni, bombolat e përdorura për gazin lotsjellës ishin të një kalibri më të madh nga zakonisht dhe dizenjuar të përhapin gazin në disa drejtime, çka mendohet të rrisë efektin dhe shqetësimet shëndetësore te protestuesit.
Gazetari Enri Vrenozi, duke cituar atë që pretendon se ka dëgjuar gjatë përplasjes, tha se një drejtues i forcave të ndërhyrjes i nxiste efektivët të përdornin gazin në mënyrë të fuqishme ndaj turmës.
“Komandanti i FNSH thërriste: ‘mbytini, mbytini me gaz’,” deklaroi Vrenozi.
Në mesin e protestuesve, sipas të njëjtit burim, ndodheshin edhe studentë të mjekësisë të cilët u ofruan ndihmë personave të prekur nga gazi.
Ndërhyrja u shoqërua me forca shtesë sigurie, ndërsa përleshjet u zhvilluan përpara godinës së Kryeministrisë. Nuk raportohet për të dhëna zyrtare mbi të lënduar apo ndalime në momentin e publikimit të këtij raportimi.











