Përplasje në “Skënderbej”: ujë dhe gaz ndaj protestuesve, molotovë e sulm me shkop ndaj policisë
Tensione të forta u shënuan pasditen e 18 tetorit në sheshin “Skënderbej”, ku policia përdori ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Disa protestues hodhën molotovë, ndërsa një efektiv u sulmua me shkop druri.

Pasditen e së dielës, 18 tetor, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë u regjistruan përplasje mes policisë dhe protestuesve, teksa situata u tensionua me përdorimin e ujit me presion dhe gazit lotsjellës nga forcat e rendit.
Sipas pamjeve dhe raportimeve nga terreni, protestuesit janë afruar drejt kordonit dhe kanë vijuar hedhjen e bombave molotov, duke e përshkallëzuar situatën në zonë.
Në një moment, një person nga turma iu afrua autobotit të ujit dhe goditi me një shkop druri një efektiv policie.
Një protestues tjetër u ngjit mbi autobotin dhe tentoi të hapte derën e mjetit, por nuk arriti ta bëjë këtë.
Forcat e policisë vijuan me hedhjen e gazit lotsjellës dhe ujit për të shpërndarë turmën dhe arritën t’i largojnë protestuesit nga zona e sheshit.











