Përplasje në Bulevard: blloqe betoni drejt policisë, ujë dhe gaz lotsjellës si kundërpërgjigje
Protesta në Tiranë u përshkallëzua të premten, me përplasje pranë Kryeministrisë dhe sulm ndaj selisë së PS-së. Policia përdori ujë dhe gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit hodhën gurë, kapsolla dhe rrokullisën blloqe betoni.

Një protestë në Tiranë u tensionua të premten pasdite në Bulevard, ku protestuesit rrokullisën blloqe të mëdha betoni drejt kordonit të policisë. Forcat e rendit u kundërpërgjigjën me ujë dhe gaz lotsjellës.
Pasi u godit selia e Partisë Socialiste, ku u thyen xhama, turma u zhvendos drejt Kryeministrisë duke marrë me vete gurë dhe barriera metalike. Aty u shënuan përplasje, me protestues që hodhën gurë dhe kapsolla, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës.
Në zonë ndërhyri edhe FNSH. Sipas raportimeve, efektivë hynë në një lokal pranë për shoqërimin e një protestuesi dhe nxorën klientët në siguri.
Pranë selisë së PS-së u pa një furgon policie i pozicionuar në pjesën e pasme të godinës. Brenda godinës u vunë re persona të maskuar me shkopinj, ndërsa pjesë të xhamave ishin të thyera.
Kryeministri Edi Rama reagoi gjatë zhvillimeve, duke deklaruar se “në lojë është tryeza e negociatave me BE-në, jo pushteti im”, ndërsa e cilësoi situatën si sfidë për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së.











