Paulin Sterkaj kritikon qeverinë për menaxhimin e protestave: “RENEA nuk është zgjidhje politike”
Ish-deputeti socialist Paulin Sterkaj reagoi për protestat në Tiranë, duke paralajmëruar se Policia e Shtetit dhe RENEA nuk mund të zëvendësojnë zgjidhjen politike. Ai kërkoi proporcionalitet në ndërhyrje dhe dialog për të adresuar pakënaqësitë.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Paulin Sterkaj, ka reaguar mbi protestat në Tiranë, duke kritikuar qasjen e institucioneve dhe duke theksuar se as Policia e Shtetit dhe as forcat speciale RENEA nuk mund të shërbejnë si zgjidhje për një krizë politike.
Sterkaj tha se ndërhyrjet policore duhet të jenë të domosdoshme, proporcionale dhe në përputhje me ligjin, ndërsa dënoi dhunën dhe dëmtimin e pronës. “Asnjë akt dhune nga një protestues nuk mund të shndërrohet në justifikim për përdorim të pakufizuar të forcës nga shteti,” theksoi ai, duke kërkuar hetim kur ka pretendime për tejkalim kompetencash.
Duke folur për angazhimin e RENEA-s, ai nënvizoi se kjo strukturë “nuk është zgjidhje politike” dhe se përdorimi i saj në protesta duhet të justifikohet nga nevoja konkrete, të jetë proporcional dhe ligjor, pasi përndryshe sjell pasoja institucionale, profesionale dhe publike.
Sterkaj kërkoi udhëzime të qarta për shmangien e përshkallëzimit dhe mbrojtjen e qytetarëve, me vëmendje të veçantë për fëmijët dhe të miturit, të cilët, sipas tij, duhet të trajtohen me vetëpërmbajtje dhe profesionalizëm.
Ai i bëri thirrje qeverisë që të dëgjojë pakënaqësitë politike e shoqërore dhe të hapë dialog. Si socialist, u kërkoi drejtuesve dhe përfaqësuesve të PS-së të dëgjojnë qytetarët, veçanërisht të rinjtë, dhe të mos ngatërrojnë disiplinën partiake me justifikimin e dhunës.
“Nuk mjafton të kërkosh qetësi në rrugë, nëse nuk krijon një rrugëdalje politike nga kriza,” u shpreh Sterkaj, duke shtuar se përgjegjësia e politikës është të ofrojë zgjidhje, ndërsa policia të veprojë vetëm brenda ligjit.











