Pas zjarrvënies nga protestuesit, Gjykata e Lartë vendos mbrojtëse hekuri në dritare
Një ditë pas zjarrvënies gjatë protestave, Gjykata e Lartë ka nisur të pajisë dritaret me barriera hekuri për të parandaluar dëme të reja. Masa të ngjashme janë marrë edhe nga disa biznese private, të goditura nga sulme dhe shkatërrime.

Një ditë pasi godina e Gjykatës së Lartë u përfshi nga flakët gjatë protestave, institucioni ka ndërmarrë masa shtesë sigurie duke vendosur mbrojtëse hekuri në dritare. Punonjës teknikë u panë teksa instalonin barrierat përforcuese këtë të shtunë.
Pamje nga vendngjarja tregojnë grila metalike që po fiksohen në hapësirat e jashtme të ndërtesës, me qëllim shmangien e dëmtimeve të mëtejshme në rast përshkallëzimi të situatës.
Sipas raportimeve, të njëjtën qasje kanë ndjekur edhe disa biznese private në zonë, pas episodeve të sulmeve dhe akteve të shkatërrimit gjatë protestave të një dite më parë.
Pronarë dhe administrata të këtyre subjekteve kanë zgjedhur mbrojtje fizike shtesë, duke theksuar mungesën e garancive të mjaftueshme për parandalimin e incidenteve të ngjashme nga policia.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një njoftim të detajuar mbi hetimet për zjarrvënien, ndërsa masat e reja synojnë të kufizojnë rrezikun për dëme të reja në infrastrukturën publike dhe private.











