Pas skadimit të dënimit të Maroviqit: të arratisurit më të njohur nga drejtësia në Serbi e BiH
Svetozar Maroviq është i lirë që nga 10 tetori pasi dënimi i tij në Mal të Zi ka skaduar, ndërsa një sërë të kërkuarish për krime të rënda e krime lufte vazhdojnë të jetojnë të lirë në Serbi. Marrëveshjet e ekstradimit në rajon shpesh nuk funksionojnë në praktikë.

Svetozar Maroviq, ish-president i Unionit Shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi, është i lirë që nga 10 tetori, pasi dënimi i tij për korrupsion në Mal të Zi ka skaduar. Ai u transferua në Serbi pas shpalljes së dënimit në vitin 2016, ndërsa Beogradi refuzoi ekstradimin deri në parashkrim, pavarësisht marrëveshjes me Podgoricën për ekstradimin e ndërsjellë në raste të krimit të organizuar, korrupsionit dhe veprave të tjera të rënda.
Marrëveshjet dypalëshe të ekstradimit në Ballkanin Perëndimor, kryesisht të nënshkruara pas vitit 2010, parashikojnë dorëzimin e qytetarëve të vet në rrethana specifike që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Këto marrëveshje nuk vlejnë për vepra të kryera para nënshkrimit dhe, mes Serbisë e Bosnjë e Hercegovinës, nuk përfshijnë krimet e luftës.
“Lidhjet politike kanë ndikim të madh në vendimet për refuzimin e ekstradimeve dhe Maroviq duhej të ekstradohej,” tha për Radion Evropa e Lirë profesorja e pensionuar e së drejtës nga Beogradi, Vesna Rakiq Vodineliq.
Pavarësisht një urdhër-arresti ndërkombëtar, Novak Gjukiq, ish-gjeneral i Ushtrisë së Republikës Srpska, i cili iku në Serbi në vitin 2014 para dënimit në BiH, jeton i lirë në Beograd. Ai u dënua me 20 vjet burg në Sarajevë për vrasjen e 71 civilëve në Tuzla Kapija, ndërsa autoritetet serbe refuzojnë ekstradimin, pasi ai është edhe shtetas i Serbisë. Ish-pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë dhe Policisë së RS-së – Tomislav Kovaq, Mirko Vruçiniq dhe Dushko Kornjaça – kanë shtetësi të dyfishtë, kërkohen nga drejtësia e BiH për krime lufte dhe jetojnë të lirë në Serbi.
Tre vjet pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës në Banjska, Milan Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi. Megjithëse Kosova ka lëshuar pesë urdhër-arreste kundër tij vitet e fundit dhe ai është sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe për lidhje me krimin ndërkombëtar, më 9 tetor ai u pa në një tubim elektoral të partisë në pushtet të Aleksandar Vuçiqit.
Përveç fqinjëve, të akuzuar e të dënuar nga vende të ndryshme – nga Rumania deri në Tajlandë – kanë gjetur strehë në Ballkanin Perëndimor. Së bashku me Radoiçiqin, edhe persona të tjerë nga Kosova, të akuzuar për vepra të ndryshme, përfshirë krime lufte, jetojnë të lirë në Serbi.











