Pas 5 ditësh tensione, 19 OJF u bëjnë thirrje palëve: Ndaloni dhunën, hapni dialogun

Pas pesë ditë protestash me episode dhune në Shqipëri, 19 organizata të shoqërisë civile publikuan një deklaratë të përbashkët ku kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe vetëpërmbajtje nga të gjitha palët, si dhe krijimin e hapësirës për dialog.
Në dokumentin me titull “Ndaloni dhunën, mbroni jetën dhe të drejtën për protestë paqësore!”, organizatat theksojnë se mbrojtja e jetës, shëndetit dhe dinjitetit të protestuesve, punonjësve të policisë, gazetarëve dhe qytetarëve duhet të jetë përparësi absolute. Ato u bëjnë thirrje pjesëmarrësve të shmangin sulmet ndaj personave dhe dëmtimin e pronës, ndërsa autoritetet të garantojnë zhvillimin paqësor të tubimeve dhe të parandalojnë lëndimet.
Sipas deklaratës, policia duhet të përdorë forcën vetëm kur është e ligjshme, rreptësisht e nevojshme dhe proporcionale, pasi ruajtja e rendit publik nuk mund të shfrytëzohet për të cenuar integritetin fizik, dinjitetin dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Po ashtu, aktet e dhunës nga individë të veçantë nuk duhet të shërbejnë si arsye për ndërhyrje pa dallim ndaj protestuesve paqësorë.
Organizatat kërkojnë ndihmë të menjëhershme mjekësore për çdo të lënduar, mbrojtje të posaçme për të miturit dhe respektim të të drejtave të personave të ndaluar. Ato theksojnë se çdo pretendim për dhunë ose përdorim të paligjshëm të forcës duhet të hetohet shpejt, në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.
Në adresimin e tyre ndaj përfaqësuesve politikë dhe drejtuesve të shtetit, organizatat kërkojnë shmangien e retorikës nxitëse dhe hapjen e rrugës për dialog.
“Respektoni të drejtën e protestës paqësore. Mbroni jetën dhe dinjitetin e çdo personi. Asnjë jetë nuk duhet vënë në rrezik”,citohet në përfundim të deklaratës.
Dokumenti është nënshkruar nga 19 organizata, mes tyre Civil Rights Defenders Shqipëri, SCiDEV, Rrjeti AWEN, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, Faktoje, BIRN Albania, Citizens.al, Partners Shqipëri, Together for Life dhe Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.











