Parlamenti i Nxënësve bën apel për protesta paqësore, u kërkon prindërve kujdes për të miturit
Parlamenti i Nxënësve të Shqipërisë u kërkon të rinjve të shmangin dhunën dhe të ruajnë karakterin paqësor të protestave, duke theksuar rëndësinë e dialogut. Prindërve dhe kujdestarëve u bëhet thirrje të mos i lejojnë të miturit të përfshihen në përplasje fizike.

Parlamenti i Nxënësve të Shqipërisë u bëri thirrje të rinjve, nxënësve dhe studentëve që të distancohen nga aktet e dhunës dhe të mbajnë paqësore çdo formë proteste, duke nxitur dialogun dhe maturinë në adresimin e kërkesave të tyre.
Në deklaratë theksohet se dhuna, kërcënimet apo provokimet nuk pranohen “pavarësisht se nga kush ushtrohen”, ndërsa u kërkohet pjesëmarrësve të shmangin çdo veprim që rrezikon sigurinë e tyre ose të të tjerëve, si dhe dëmtimin e institucioneve apo pronës publike e private.
“U bëjmë thirrje nxënësve dhe studentëve që të ruajnë karakterin paqësor të protestave”, thuhet mes të tjerash në reagim, me theks te mbrojtja e të drejtave të të miturve.
Paralelisht, Parlamenti i Nxënësve u kërkon prindërve dhe kujdestarëve ligjorë të forcojnë komunikimin me fëmijët për sigurinë personale dhe pjesëmarrjen e përgjegjshme në jetën qytetare. “Të mos i lejojnë të miturit të bëhen pjesë e përplasjeve fizike”, nënvizohet në deklaratë, duke i bërë thirrje palëve për më shumë dialog dhe më pak përplasje.
Parlamenti i Nxënësve të Shqipërisë është organ përfaqësues në nivel kombëtar i qeverive të nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, me synim rritjen e pjesëmarrjes në vendimmarrje dhe përmirësimin e cilësisë së procesit arsimor. Ai përbëhet nga 140 nxënës të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria.











