Parisi zgjohet me dëme pas natës së dhunshme që errësoi protestat për koston e jetesës
Të dielën në Paris u panë biçikleta të djegura, dritare të thyera dhe dyqane të dëmtuara, pas përplasjesh që shoqëruan protestat mbarëkombëtare për rritjen e çmimeve. Autoritetet franceze njoftuan mbi 1,200 arrestime të shtunën.

Parisi u përball të dielën me gjurmë të gjera shkatërrimi, pasi dhuna errësoi protestat e një dite më parë kundër rritjes së kostos së jetesës. Në rrugë u panë biçikleta të djegura, automjete të dëmtuara dhe mbeturina, ndërsa shumë dyqane kishin vitrina të thyer.
Ndër bizneset e prekura u numëruan marka si Nike, Sephora dhe Burger King, ndërkohë që u thyen edhe dritaret në sportelet e biletarisë së Operas së Parisit. Ekipet e pastrimit nisën punën që herët, ndërsa punëtorët filluan riparimin e fasadave të dëmtuara.
Trazirat shpërthyen në kuadër të demonstratave në mbarë Francën kundër rritjes së çmimeve. Sipas raportimeve, më shumë se 1,200 persona u arrestuan të shtunën, pasi protestues që mbështesnin nxënësit e shkollave të mesme u përplasën me policinë.
Reagime dhe sfond politik
Ngjarjet vijnë pas disa javësh protestash studentore dhe shtojnë pasigurinë politike në Francë, teksa vendi i afrohet zgjedhjeve që do të mbahen pas rreth gjashtë muajsh për të zgjedhur pasuesin e presidentit Emmanuel Macron.
“Nuk ka vend për dhunë në Republikën tonë... ata që kanë shkatërruar... do të ndiqen penalisht dhe do të ndëshkohen”, shkroi Macron në X të shtunën vonë, duke shprehur edhe “mbështetjen e Kombit” për forcat e rendit që garantojnë të drejtën për të protestuar.
Ai shtoi se shoqëria duhet të qëndrojë e bashkuar kundër atyre që “mbjellin kaos” dhe pengojnë qytetarët që shprehin kërkesat e tyre në mënyrë paqësore.











