NYT: Protestat studentore në Shqipëri ashpërsohen; në shënjestër Edi Rama dhe kërkesa për dorëheqje
The New York Times raporton se protestat në Shqipëri, të udhëhequra nga studentët, kulmuan të shtunën me përplasje me policinë në Tiranë. Zemërimi i demonstruesve është drejtuar ndaj kryeministrit Edi Rama, me thirrje për dorëheqjen e tij.

The New York Times raportoi se qindra studentë marshuan të shtunën drejt Ministrisë së Arsimit në ditën e pestë të protestave kundër kostove të larta të arsimit, duke u bashkuar me demonstratat e gjera kundër rritjes së kostos së jetesës dhe thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Sipas raportimit, protesta në Tiranë u përshkallëzua shpejt, me ndërhyrjen e policisë që përdori gaz lotsjellës, plumba gome dhe më pas topa uji pranë zyrës së kryeministrit. U shënuan përplasje mes efektivëve dhe demonstruesve, ndërsa një automjet u vu në flakë.
Gazeta thekson se pjesë e turmave u bënë edhe tifozë futbolli dhe grupe të tjera të organizuara, ndërsa shumë protestues mbanin maska, ngritën barrikada me kangjella hekuri, ndezën zjarre dhe bllokuan akse rrugore. U raportuan dëmtime të xhamave të godinave të lidhura me qeverinë, si dhe sulme me gurë ndaj bankave dhe prishje bankomatësh. Shumë biznese në qendër të Tiranës qëndruan të mbyllura.
Protesta më të vogla u shtrinë edhe në qytete të tjera të mëdha, përfshirë Durrësin, Korçën dhe Vlorën. Autoritetet kanë ndaluar më shumë se 167 persona në të gjithë vendin, ndërsa që nga e marta janë ngritur akuza ndaj mbi 388 personave, citohet në raportim.
Sipas The New York Times, Edi Rama, në detyrë prej 13 vitesh dhe pjesë e qeverisë shqiptare, me ndërprerje, që nga viti 1998, është bërë shënjestër kryesore e zemërimit të protestuesve, të cilët kërkojnë largimin e tij nga posti.
Ngjarjet e së shtunës kulmuan pas pesë ditësh tensione të shtuara, me vijimin e reagimit të policisë dhe mobilizimin në rritje të grupeve të pakënaqura me qeverinë, thekson gazeta.











