Ndërprerja e ujit vazhdon në disa fshatra, “Hidroregjioni Jugor” punon për sanimin e defektit
KRU “Hidroregjioni Jugor” njoftoi se mungesa e furnizimit me ujë po vazhdon në disa fshatra, për shkak të një defekti në gypin kryesor që furnizon stacionet e pompimit Kojush 1 dhe Kojush 2. Ekipet teknike janë në terren dhe kompania u kërkon ndjesë konsumatorëve.

KRU “Hidroregjioni Jugor” njoftoi se ndërprerja e furnizimit me ujë në disa fshatra dhe zona përreth po vazhdon, për shkak të një problemi teknik në gypin kryesor që furnizon stacionet e pompimit Kojush 1 dhe Kojush 2.
Sipas kompanisë, defekti ende nuk është eliminuar dhe pa ujë kanë mbetur fshatrat Gjonaj, Mazrek, Kojush, Planej, Gorozhup dhe Mile, si edhe zonat përreth tyre.
Ekipet teknike të “Hidroregjionit Jugor” po punojnë për tejkalimin e pengesave dhe sanimin e dëmtimit, me synim rikthimin e furnizimit sa më shpejt të jetë e mundur.
Kompania u ka kërkuar ndjesë konsumatorëve për shqetësimet e shkaktuara, duke i falënderuar për mirëkuptimin dhe durimin deri në normalizimin e gjendjes.











