Naim Rashiti: Vëmendja e SHBA dhe BE është zhvendosur nga Kosova e Ballkani
Drejtori i BPRG, Naim Rashiti, thotë se Kosova dhe Ballkani Perëndimor nuk janë më ndër prioritetet e SHBA-së dhe BE-së, teksa Uashingtoni po vepron më shumë përmes marrëdhënieve dypalëshe. Ai kërkon që rajoni të marrë më shumë përgjegjësi dhe të forcojë aleancat strategjike.

Naim Rashiti, drejtor ekzekutiv i Grupit për Hulumtimin e Politikave të Ballkanit (BPRG), vlerëson se Kosova dhe Ballkani Perëndimor nuk figurojnë më si përparësi në agjendat e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, ndërsa administrata amerikane po orienton qasjen drejt marrëdhënieve dypalëshe.
Sipas tij, konfliktet e reja globale – nga Ukraina te Lindja e Mesme dhe tensionet me Iranin – kanë ri-shkruar listën e prioriteteve, përfshirë ndikimet në energji dhe zinxhirët e furnizimit. “Shumëçka ka ndryshuar në botë... kjo ka ndryshuar gjithë prioritetet globale”, tha Rashiti, duke e përshkruar politikën e re amerikane si më pak multilaterale dhe më shumë ad hoc.
Ai theksoi se qasja aktuale e Uashingtonit mbështetet kryesisht në kanale bilaterale me vendet e rajonit, si Kosova, Shqipëria, Serbia, Greqia dhe Turqia. Megjithëse përmendi disa rezoluta dhe ligje të Kongresit e Senatit që ndikojnë kursin ndaj Ballkanit, Rashiti nënvizoi se rajoni nuk është më në qendër të agjendave të sigurisë, integrimit dhe zhvillimit.
Duke kërkuar një ndryshim kursi brenda rajonit, ai apeloi që Kosova dhe fqinjët të marrin më shumë përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve përmes bashkëpunimit dhe politikave që zvogëlojnë varësinë nga aktorët ndërkombëtarë. Ai përmendi edhe mesazhe drejtuar Evropës për rritjen e kapaciteteve të veta të mbrojtjes si shembull për Ballkanin: “Mjaft më, zgjohuni… konsolidoni me sa më pak varësi”.
Rashiti e pa largimin e vëmendjes si proces gradual që ka nisur prej administratës Obama, është përkeqësuar nga përplasjet SHBA–BE gjatë mandatit të parë të Donald Trump dhe nuk është rikthyer bindshëm as në periudhën e Joe Biden. Ai shtoi se ndryshimet e fundit në mandatin e dytë të Trump e bëjnë të vështirë parashikimin e vijës amerikane ndaj Kosovës.
Megjithatë, ai kërkoi që Kosova të ruajë aleancën strategjike me SHBA-në, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe projekteve kapitale, duke qenë se afrimi me NATO-n “varet ekskluzivisht nga SHBA-ja”. Rashiti po ashtu sugjeroi një qasje më proaktive ndaj Uashingtonit dhe forcimin e lidhjeve me Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e BE-së.











