Muharremi u bën apel studentëve: Distancohuni nga dhuna, protestoni paqësisht
Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Muharremi, u bëri thirrje protestuesve në edicionin e orës 19:00 në Vizion Plus që të shmangin aktet e dhunës dhe vandalizmit. Ai kërkoi që studentët të mos përdoren nga individë që, sipas tij, synojnë të kthejnë vendin pas.

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Muharremi, u shpreh në studion e lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus, të moderuar nga Roland Zili, se protestat duhet të zhvillohen paqësisht dhe me dialog.
Ai u bëri apel studentëve dhe protestuesve të qetësohen, duke kërkuar ndalimin e akteve vandale dhe dëmtimit të bizneseve, të cilat i përshkroi si ekonomi familjare.
Muharremi theksoi se nuk duhet të ushtrohet dhunë ndaj oficerëve të policisë dhe se distancimi nga elementët provokues është i domosdoshëm.
“Distancohuni nga individët, nga huliganët dhe nga kriminelët e demokracisë që duan të shkatërrojnë vendin dhe të na kthejnë në regres,” tha ai, duke paralajmëruar se rreziku i krijuar do të rëndojë edhe mbi fëmijët.
Në bisedë me moderatorin, ai u shpreh se zgjidhja që propozon është protestë paqësore dhe dialog mes palëve, për të shmangur përsëritjen e skenarëve të së shkuarës.











