MPB u bën thirrje prindërve: Mos përfshini të miturit në protesta të dhunshme
Zëvendësministrja e Brendshme Anisa Ruseti i kërkoi prindërve dhe kujdestarëve të mbrojnë fëmijët nga përfshirja në protesta që degjenerojnë në dhunë, duke theksuar rreziqet fizike e psikologjike. Ajo njoftoi se ditët e fundit mbi 270 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas përplasjeve.

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, u bëri thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të mos lejojnë pjesëmarrjen e fëmijëve dhe adoleshentëve në protesta të dhunshme, pas ngjarjeve të ditëve të fundit ku një tubim i të rinjve u përshkallëzua në përplasje. Sipas saj, mbi 270 persona i janë drejtuar spitaleve për ndihmë mjekësore.
Ruseti nënvizoi se rreth 70 prej të lënduarve kanë qenë pjesëmarrës në protesta apo kalimtarë, ndërsa mbi 170 kanë qenë efektivë të Policisë së Shtetit. Ajo uroi shërim të shpejtë për të gjithë dhe theksoi se e drejta për protestë paqësore është e garantuar, por siguria e të miturve duhet të jetë përparësi.
“Të miturit nuk duhet të përfshihen në përplasje dhe nuk mund të mbajnë përgjegjësi për veprimet e personave që i nxisin drejt dhunës. Mbrojtja e fëmijëve është një prioritet për të gjithë ne”, deklaroi Ruseti, duke paralajmëruar për pasojat fizike dhe psikologjike që mund të shkaktojë ekspozimi ndaj dhunës.
Ajo theksoi se standardet evropiane kërkojnë menaxhim të protestave përmes komunikimit, uljes së tensioneve dhe përdorimit të forcës vetëm kur është e domosdoshme dhe në masën minimale. Sipas saj, çdo veprim policor duhet të jetë i ligjshëm e proporcional, ndërsa pretendimet për përdorim të tepruar force do të shqyrtohen në mënyrë të paanshme.
Ruseti u kërkoi prindërve të jenë të kujdesshëm për vendndodhjen e fëmijëve dhe për përmbajtjet që ata marrin në rrjetet sociale, duke i këshilluar t’i largohen menjëherë zonave të tensionuara. Ajo shtoi se normalizimi i dhunës dëmton zhvillimin e fëmijëve dhe cenon besimin te Policia e Shtetit si institucion mbrojtës.
Në përfundim, ajo u bëri thirrje organizatorëve, përfaqësuesve politikë, mediave dhe të rriturve me ndikim te të miturit që të shmangin nxitjen e përplasjeve dhe përdorimin e fëmijëve për qëllime politike, duke theksuar se interesi më i lartë i fëmijës duhet të udhëheqë veprimet e të gjithëve.











