Mjet i ri me inteligjencë artificiale i ndihmon policitë amerikane të gjejnë adresa nga fotot e brendshme
Policia në Los Angeles dhe në qarkun Miami-Dade po testojnë një sistem të quajtur Raven, që identifikon vendndodhjen e banesave nga imazhe të brendshme. Përdorimi i të dhënave nga platformat e pasurive të paluajtshme ka nxitur debate për privatësinë.

Policia në Los Angeles dhe zyra e sherifit të Miami-Dade në SHBA po përdorin një mjet të quajtur Raven, që sipas zhvilluesit të tij mund të përcaktojë adresën e saktë të një banese vetëm nga një fotografi e brendshme. Sistemi është krijuar nga Graylark Technologies dhe përfaqëson një version të avancuar të programit të mëparshëm GeoSpy, me aftësi të zgjeruara për identifikimin e objekteve dhe banesave.
Sipas demonstrimeve të kompanisë, Raven mund të nxjerrë përfundime nga elemente si detaje arkitekturore, organizimi i hapësirës dhe pajisjet e dhomës – madje edhe kur në foto shihen vetëm një lavatriçe dhe një tharëse. Ai i krahason këto tipare me një bazë të gjerë imazhesh dhe listimesh për të gjetur përputhje, edhe kur fotot ndryshojnë dukshëm nga njëra-tjetra.
Programi përdor të dhëna nga platformat e reklamimit të pronave dhe nga shërbimet e qirave afatshkurtra. Rezultatet që gjeneron përmbajnë referenca nga njoftime në Airbnb dhe Vrbo, ndërsa demonstrimet sugjerojnë shfrytëzimin e të dhënave edhe nga Zillow.
Graylark argumenton se banesat me qira afatshkurtra mund të shfrytëzohen për veprimtari kriminale, përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore, dhe se lidhja e një fotografie anonime me një adresë mund t’u shërbejë hetuesve si pikënisje. Por grumbullimi masiv i imazheve ka ngritur shqetësime tek platformat që pretendojnë se këto praktika cenojnë kushtet e përdorimit dhe privatësinë e përdoruesve.
Airbnb thotë se ka masa teknike kundër mbledhjes së automatizuar të të dhënave dhe po e shqyrton çështjen, ndërsa Zillow paralajmëron se praktika të tilla shkelin rregullat e saj dhe mund të çojnë në veprime ligjore. Vrbo nuk kishte komentuar në momentin e raportimit.
E kaluara e teknologjisë ka qenë problematike: kur GeoSpy ishte i qasshëm publikisht, përdorues në një server Discord kërkuan ndihmë për ta përdorur për përndjekjen e grave. Pas kësaj, Graylark kufizoi aksesin vetëm për klientë korporatë dhe institucione shtetërore, megjithatë kritikët theksojnë se kufizimet nuk e përjashtojnë rrezikun e keqpërdorimit nga individë të autorizuar.
Debati mbetet i hapur: ndërsa mjetet si Raven mund të fuqizojnë hetimet, ato ngrenë pyetje thelbësore mbi kufijtë e mbikëqyrjes dhe mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve.











