Mjekë shqiptarë në Gjermani i kërkojnë Bundestagut veprim për mbrojtjen e të drejtave në Shqipëri
Një grup mjekësh dhe profesionistësh shëndetësorë shqiptarë që jetojnë në Gjermani kanë nisur një peticion drejtuar Bundestagut dhe eurodeputetëve gjermanë, duke kërkuar reagim për situatën e protestave në Shqipëri. Peticioni, i datës 18 tetor 2026, përmend raportime për përdorim joproporcional të forcës dhe hedhje gazi lotsjellës pa paralajmërim.

Më 18 tetor 2026, mjekë dhe profesionistë shëndetësorë shqiptarë me banim në Gjermani kanë nisur nënshkrimin e një peticioni drejtuar deputetëve të Bundestagut gjerman dhe atyre gjermanë në Parlamentin Evropian, duke kërkuar veprim urgjent për mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Në dokumentin e firmëtarëve theksohet se prej më shumë se katër muajsh mijëra qytetarë, përfshirë shumë studentë dhe të rinj, protestojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera. Peticioni i referohet raporteve të organizatave të të drejtave të njeriut për përdorim joproporcional të forcës nga policia dhe hedhje gazi lotsjellës pa paralajmërim, si dhe nënvizon se Delegacioni i BE-së në Tiranë ka kërkuar hetim të shpejtë për këto pretendime.
Një shqetësim i veçantë i ngritur në peticion lidhet me raportimet për automjete që perceptohen si ambulanca, të cilat duket se janë përdorur në mbështetje të veprimeve policore. “Ambulancat dhe personeli mjekësor duhet të shërbejnë vetëm për kujdesin ndaj të lënduarve, kurrë si pjesë e operacioneve policore”, theksohet në tekst, ku përmendet edhe rrezikshmëria e gazit lotsjellës për fëmijët, të moshuarit dhe pacientët kronikë.
Çfarë kërkohet
Firmëtarët u bëjnë thirrje përfaqësuesve gjermanë që: të mbajnë një qëndrim publik në mbrojtje të së drejtës për protestë paqësore në Shqipëri; t’u kërkojnë autoriteteve shqiptare një hetim të pavarur e transparent për përdorimin e forcës dhe rastet që përfshijnë automjete mjekësore; të garantohet kujdes i paanshëm mjekësor dhe mbrojtje për personelin mjekësor e gazetarët; çështja të vendoset në axhendën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht te kapitujt e shtetit të së drejtës dhe të të drejtave themelore; dhe të përdoren të gjitha mjetet diplomatike për të parandaluar përshkallëzimin.
Autorët e peticionit theksojnë lidhjet e tyre me Gjermaninë dhe Shqipërinë, duke kujtuar se shumë prej tyre janë shtetas gjermanë që kontribuojnë në sistemin shëndetësor, ndërsa familjet e tyre jetojnë në Shqipëri. “Evropa nuk mund ta mbrojë demokracinë vetëm përmes fjalimeve solemne… Shqipëria ka nevojë për një Evropë që sheh, dëgjon dhe kërkon përgjegjësi. Jo dikur, por tani”, citohet në apel.











