Mitrovica nis pastrimin rreth Spitalit Rajonal, thirrje për kujdes ndaj mjedisit
Komuna e Mitrovicës ka filluar një aksion për pastrim dhe mirëmbajtje të hapësirave pranë Spitalit Rajonal. Kryetari Faton Peci u bëri thirrje qytetarëve të kontribuojnë për një ambient më të pastër.

Komuna e Mitrovicës njoftoi se ka nisur një aksion për pastrim dhe mirëmbajtje në hapësirat përreth Spitalit Rajonal të Mitrovicës, me synim krijimin e kushteve më të mira për pacientët, stafin dhe vizitorët.
Sipas komunës, veprimtaria zhvillohet në kuadër të angazhimeve për ruajtjen e pastërtisë dhe rregullit në hapësirat publike pranë institucioneve shëndetësore.
Kryetari i komunës, Faton Peci, publikoi pamje nga terreni dhe kërkoi bashkëpunim nga qytetarët për mirëmbajtjen e mjedisit.
“Objektet shëndetësore dhe hapësirat përreth na duhen të pastra. Le t’i kontribuojmë të gjithë!”, tha Peci.
Ai theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët të komunitetit për mbrojtjen e mjedisit dhe kujdesin e përhershëm ndaj hapësirave publike.











