Mile: Dhuna në protestë s’justifikohet, dorëheqja e Ramës në këto rrethana krijon precedent
Pedagogu Klementin Mile tha se dhuna në protestat e fundit është e papranueshme dhe se pakica nuk mund t’i imponojë vullnetin shumicës. Ai paralajmëroi se dorëheqja e kryeministrit në kushtet aktuale do të krijonte precedent për demokracinë.

Pedagogu Klementin Mile deklaroi në një intervistë televizive se dhuna e shfaqur gjatë protestave të fundit është e pajustifikueshme dhe se vullneti i pakicës nuk mund t’i imponohet shumicës. Ai theksoi se kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit, në mënyrën si po artikulohet, rrezikon të krijojë një precedent për sistemin demokratik.
Sipas tij, mungesa e kufijve në formën e protestës çon në akte të dhunshme dhe kjo ka ndodhur si nga ana e protestuesve, ashtu edhe nga policia. Mile nënvizoi se e drejta kushtetuese për të protestuar është e garantuar, por vetëm në formë paqësore, dhe se kjo parimësi është abuzuar.
Duke iu referuar pretendimeve për përfshirjen e Antifës, ai tha se nëse kjo do të provohej, do të shkeleshin parimet kushtetuese dhe thelbi i demokracisë. Mile rikujtoi se në një rend demokratik vendos shumica, ndërsa numri i pjesëmarrësve në protestat mbi 100-ditëshe ka rënë, shoqëruar me përshkallëzim të akteve.
Ai argumentoi se dorëheqja e kryeministrit, vetëm për të “shfryrë presionin”, do të deformonte logjikën e sistemit.
“Në demokraci vendos populli… Tani Rama nuk mund të ikë derisa një pjesë e vogël e këtij populli e kërkon këtë. Pse duhet dorëheqja? Nëse e bën këtë, vendos një precedent,”
vlerësoi Mile, duke shtuar se votuesit e kanë ripohuar disa herë qeverisjen në zgjedhje.
Ai ngriti edhe pikëpyetje për “duar të huaja”, duke pyetur nëse synimi është vetëm largimi i kryeministrit apo destabilizimi i vendit. Sipas tij, zgjidhja nuk vjen me gurë, por përmes negociatave.











