MGK dhe Dakota Johnson shihen sërish bashkë në LA, shtohen dyshimet për romancë
Machine Gun Kelly dhe Dakota Johnson u panë bashkë në Los Angeles, ndërsa makina e reperit u fotografua të nesërmen para shtëpisë së aktores, duke nxitur dyshimet për një lidhje. Të dy janë parë edhe më herët në publik gjatë javëve të fundit.

Machine Gun Kelly dhe Dakota Johnson u fotografuan së bashku në Los Angeles të enjten mbrëma, më 15 tetor, pas një vizite në një studio regjistrimi, ndërsa të nesërmen në mëngjes automjeti i reperit u pa i parkuar para shtëpisë së aktores, duke rritur zërat për një romancë të mundshme.
Sipas raportimeve, Johnson u pa duke pritur jashtë studios, e veshur me një pallto me motive leopardi dhe pantallona të zeza, ndërsa mbante në dorë një pajisje që dukej si laptop. Pak më vonë, MGK doli nga ndërtesa, zhvendosi një çantë të madhe nga sedilja e pasagjerit në bagazh dhe të dy u larguan me makinën e tij Maserati.
Të premten në mëngjes, e njëjta makinë u fotografua para banesës së aktores, çka u interpretua si shenjë se reperi mund të ketë kaluar natën aty. Dyshja është parë bashkë edhe më herët këtë javë në një lokal të frekuentuar në Hollywood, ndërsa zërat nisën rreth një muaj më parë pas kohës së kaluar në New York.
Një burim që njeh situatën thotë se mes tyre ka kimi dhe se MGK është i interesuar për aktoren.
“Colson kaloi shumë mirë me Dakotën. Ai mendon se ajo është shumë interesante dhe, sigurisht, është i tërhequr prej saj,”ka thënë burimi, duke shtuar se njohja është ende në hapat e parë.
Zhvillimet vijnë pas ndryshimeve në jetën e tyre sentimentale: Dakota Johnson i dha fund lidhjes shumëvjeçare me Chris Martin në korrik 2025, ndërsa MGK u nda nga e fejuara e tij, aktorja Megan Fox, në fund të vitit 2024. Ish-çifti ka së bashku një vajzë, Saga Blade Fox-Baker, e lindur më 27 mars 2025.











