Me armë në taksi drejt kufirit, ndalohet në Dibër 30‑vjeçari nga Durrësi
Policia e Dibrës arrestoi një 30‑vjeçar që drejtonte taksi, pasi në sediljen e pasme iu gjetën një kallashnikov dhe një pistoletë. Hetimet paraprake dyshojnë se armët u morën në Tufinë dhe po transportoheshin drejt Maqedonisë së Veriut përmes kufirit të gjelbër.

Një 30-vjeçar nga Durrësi u arrestua në Dibër gjatë një operacioni të koduar “Taksia”, pasi në automjetin taksi që drejtonte u gjetën dy armë zjarri. Sipas Policisë, ndalimi i shtetasit A. T. u bë te “Rrethrrotullimi i Bllatës”.
Gjatë kontrollit, shërbimet policore gjetën në sediljen e pasme një kallashnikov me 13 fishekë, si dhe një pistoletë me një fishek në fole dhe një tjetër në krehër. Armët dhe municioni u sekuestruan si prova materiale.
Dyshohet se i riu i kishte marrë armët në zonën e Tufinës në Tiranë dhe po synonte t’i çonte në Maqedoninë e Veriut, duke shmangur pikat zyrtare të kalimit dhe duke përdorur të ashtuquajturin kufi i gjelbër.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Dibër në bashkëpunim me Seksionin Operacional të DVP Dibër. Pas arrestimit në flagrancë, materialet u dërguan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa fajësia të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.











