Macron flet sonte pas trazirave: 1 viktimë, mbi 1,800 të ndaluar në protestat në Francë
Presidenti Emmanuel Macron do t’i drejtohet qytetarëve në orën 20:00, pas protestave kundër kostos së jetesës që u shoqëruan me dhunë, një viktimë dhe mijëra ndalime. Autoritetet raportojnë dhjetëra policë të plagosur dhe dëme në disa qytete.

Presidenti francez Emmanuel Macron do të mbajë një fjalim sonte në orën 20:00, pasi protestat e gjera kundër rritjes së kostos së jetesës në disa qytete të Francës u shoqëruan me përplasje të dhunshme, vandalizëm dhe grabitje. Bilanci zyrtar deri tani përfshin një të vdekur, mbi 1,800 të arrestuar dhe rreth 150 efektivë policie të plagosur.
Sipas zyrës së presidencës, fjalimi vjen teksa situata mbetet e tensionuar. Një ditë më parë, Macron dënoi dhunën dhe paralajmëroi ndjekje penale për autorët e dëmeve ndaj institucioneve dhe bizneseve.
“Nuk ka vend për dhunën”, deklaroi ai, duke kërkuar që kërkesat të shprehen paqësisht.
Në Paris, ku u raportuan përplasjet më të rënda, një person ndërroi jetë pasi pësoi arrest kardiorespirator në bulevardin Magenta, sipas BFMTV. Ai u dërgua drejt një pike ndihme nga protestues të tjerë, por vdiq pranë saj. Në kryeqytet u regjistruan 855 arrestime. Organizatorët dhe sindikata CGT vlerësojnë se në Paris morën pjesë rreth 110 mijë persona, ndërsa në mbarë vendin rreth 800 mijë. Sipas mediave franceze, në Saint-Étienne një 17-vjeçar humbi dorën pas një incidenti me një granatë policore.
Përplasjet kulmuan në sheshin République në Paris, ku policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë grupe të dhunshme. U raportuan gjithashtu sulme pranë institucioneve publike dhe selisë qendrore të televizionit CNews.
Në Limoges, një zjarr përfshiu godinën historike të bashkisë, me dëme të konsiderueshme; autoritetet lokale e konsideruan zjarrvënie të qëllimshme. Në Marsejë, persona të maskuar u futën me forcë në godinën e bashkisë dhe dëmtuan ambientet, ndërsa pati edhe grabitje dyqanesh. Dëme materiale dhe zjarre u raportuan gjithashtu në Lion, Lilë dhe Grenoble.
Kryeministri Sébastien Lecornu theksoi se qeveria nuk do të lejojë që dhuna të diktojë agjendën politike. Ministri i Brendshëm akuzoi të majtën ekstreme për nxitjen e episodeve të dhunshme. Protestat u zhvilluan kryesisht për shkak të kostos së lartë të jetesës, si dhe kërkesave për financimin e arsimit dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Fjalimi i paralajmëruar i Macron pritet të shënojë reagimin e presidencës, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve të dhunës dhe dëmeve.











