Lezhë: 40 raste të reja me kancer gjiri këtë vit, mjekja apelon për kontrolle periodike
Në qarkun e Lezhës janë regjistruar 40 raste të reja me kancer gjiri gjatë këtij viti. Onkologja Bardha Gjoni thekson rëndësinë e kontrolleve, ndërsa në tetor mamografitë kryhen gjashtë ditë në javë.

Gjatë këtij viti në qarkun e Lezhës janë shënuar 40 raste të reja me kancer gjiri, sipas të dhënave zyrtare të shërbimit onkologjik. Më të prekura rezultojnë gratë mbi 50 vjeç, por janë raportuar edhe raste te moshat më të reja.
Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se gjatë këtij viti është regjistruar vetëm një humbje jete nga kjo sëmundje.
Mjekja onkologe Bardha Gjoni vlerëson se rritja e ndërgjegjësimit dhe kryerja e kontrolleve mjekësore kanë çuar në diagnostikim më të hershëm.
“Kontrollet periodike ndihmojnë në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit,”theksoi ajo, duke u bërë thirrje grave dhe vajzave të mos i neglizhojnë vizitat.
Apel për parandalim
Gjoni nënvizon se zbulimi në faza të hershme rrit dukshëm mundësitë për trajtim të suksesshëm dhe u bën thirrje të gjitha grave të kryejnë kontrollin e rregullt.
Në kuadër të muajit tetor, të dedikuar ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, në Lezhë mamografitë kryhen gjashtë ditë në javë, me synim parandalimin dhe identifikimin sa më të shpejtë të rasteve.











