Lepenci ndërpret bashkëpunimin me trajnerin Faruk Statovci; tekniku reagon nga Bullgaria
Lepenci i Kaçanikut ka shkëputur bashkëpunimin me trajnerin Faruk Statovci pas barazimit 2-2 ndaj Besës. Statovci, aktualisht me Kosovën U15 në Bullgari, thotë se mungesa e tij ishte e paralajmëruar dhe paralajmëron sqarime të mëtejshme.

Lepenci i Kaçanikut njoftoi gjatë fundjavës ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Faruk Statovci dhe stafin e tij, pas barazimit 2-2 në shtëpi ndaj Besës së Pejës, ndeshje në të cilën vendasit kishin epërsi 2-0 pas pjesës së parë.
Klubi e bëri vendimin publik përmes një njoftimi, duke falënderuar Statovcin për angazhimin dhe duke i uruar shëndet e suksese në vazhdim. “Pas mbledhjes së kryesisë dhe shqyrtimit të rezultateve të fundit, kemi vendosur për ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Faruk Statovci dhe stafin e tij”, thuhet në njoftim.
Trajneri, i cili aktualisht ndodhet në Bullgari me Kombëtaren U15 të Kosovës, tha se drejtuesit e Lepencit kanë qenë të informuar që në takimin e parë se gjatë tetorit do të mungonte një javë për grumbullimin e ekipit kombëtar. “Unë jam në Bullgari me ekipin kombëtar U15, nuk kam qenë as në ndeshje... Që në takimin e parë ua kam treguar se në muajin tetor mund të jem një javë me kombëtaren. Ata më kanë thënë se nuk ka asnjë problem. Por, nejse…”, u shpreh ai.
Ai ka lënë të kuptohet se ndarja nuk lidhet vetëm me rezultatin e fundit.
“Besoj se ka ardhur koha të mos paraqitem gjithmonë si viktimë, trajneri. Nuk do të hesht për asgjë, përfshirë të gjitha problemet që kemi pasur gjatë kësaj rruge. Shumë shpejt do ta merrni vesh të vërtetën”,shtoi Statovci.
Gjatë periudhës në drejtim të Lepencit, Statovci udhëhoqi ekipin në 10 ndeshje, me bilanc një fitore, gjashtë barazime dhe tri humbje. Mbetet të shihet nëse ai do të bëjë publike detajet që ka paralajmëruar dhe si do të reagojë klubi.











