Krerët fetarë pas takimit me Begajn: Zëri i qytetarëve të dëgjohet, rruga është dialogu
Pas një takimi me presidentin Bajram Begaj, krerët e komuniteteve fetare bënë apel për dialog dhe përmbajtje në kushtet e protestave në Tiranë. Ata theksuan se institucionet duhet të përgjigjen, drejtësia të garantohet dhe paqja të mbrohet.

Krerët e komuniteteve fetare të Shqipërisë, pas një takimi gjatë ditës së sotme me presidentin Bajram Begaj, publikuan një deklaratë të përbashkët lidhur me situatën e krijuar nga protestat në kryeqytet, duke kërkuar që palët të zgjedhin dialogun dhe të shmangin përshkallëzimin.
Në apelin e tyre, ata theksuan nevojën që qytetarët të dëgjohen, institucionet të japin përgjigje, drejtësia të garantohet dhe ligji të respektohet, duke vënë në qendër mbrojtjen e paqes dhe të mirës së përbashkët.
“Apeli ynë është për të gjithë: qytetarët të dëgjohen, institucionet të përgjigjen, drejtësia të garantohet, ligji të respektohet dhe paqja të mbrohet... Me përulësi i drejtohemi të gjitha palëve të zgjedhin dialogun mbi konfliktin.”
Mesazhi i përbashkët nënvizon se e ardhmja e vendit nuk mund të ngrihet mbi frikë, shkatërrim dhe përçarje, por mbi dinjitet, besim të ndërsjellë dhe vullnet për zgjidhje paqësore, duke vendosur sigurinë e qytetarëve mbi çdo interes të ngushtë.
Ndërkohë, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Joan Pelushi, gjatë meshës në Katedralen “Ngjallja” në Tiranë, u lut që vendimmarrësit të udhëhiqen nga urtësia dhe përgjegjshmëria për të mirën e përbashkët. “Shqipëria është e të gjithëve,” theksoi ai, duke bërë thirrje për vendime të drejta në shërbim të gjithë vendit.











