Kosova sjell argjend e bronz nga Kupa Botërore e kikboksit në Tashkent
Nart Kastrati fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 81 kg, ndërsa Art Dulaj siguroi bronzin në 67 kg në Kupën Botërore WAKO në Uzbekistan. Delegacioni kosovar u drejtua nga presidenti i Federatës, Fatmir Makolli.

Kosova ka siguruar dy medalje në Kupën Botërore të kikboksit WAKO, të zhvilluar nga 13 deri më 18 tetor në Tashkent të Uzbekistanit, ku Nart Kastrati fitoi argjendin në kategorinë deri në 81 kg, ndërsa Art Dulaj u rendit i treti në kategorinë deri në 67 kg.
Kastrati arriti deri në finalen e garës, duke u stolisur me medaljen e argjendtë, kurse Dulaj përfundoi turneun me medalje bronzi pas paraqitjeve të suksesshme në peshën e tij.
Delegacioni i Kosovës ishte treanëtarësh dhe u udhëhoq nga presidenti i Federatës së Kikboksit të Kosovës, Fatmir Makolli, i cili shoqëroi dy sportistët gjatë garave në Tashkent.
“Domethënie e veçantë” për medaljet
Makolli vlerësoi lart rezultatin e kikboksierëve, duke theksuar kontekstin e veçantë të turneut, pasi ai u mbajt në një vend që ende nuk e njeh Kosovën.
“Për ne, ky sukses ka një domethënie të veçantë. Në një vend që ende nuk e njeh shtetin tonë, sportistët tanë përfaqësuan Kosovën me krenari dhe dinjitet, duke dëshmuar se sporti është një nga ambasadorët më të fuqishëm të vendit tonë në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Makolli.
Me këto dy medalje, Kastrati dhe Dulaj i shtojnë Kosovës një tjetër arritje në skenën ndërkombëtare të kikboksit.











