Kosova i drejtohet SHBA për blerje helikopterësh; ekspertët kërkojnë sisteme shtesë
Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci konfirmoi se kërkesa për helikopterë ushtarakë është dërguar në Departamentin Amerikan të Luftës përmes programit FMS. Ekspertë të sigurisë e quajnë hap pozitiv, por theksojnë nevojën për mbrojtje kundërajrore, mjete antiblindë dhe dronë.

Prishtinë — Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, njoftoi se Kosova ka dërguar kërkesë në Departamentin Amerikan të Luftës për blerjen e helikopterëve ushtarakë, me synim rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit. Procedurat, sipas tij, do të zhvillohen përmes programit amerikan FMS.
Sqaruar nga ministri, programi FMS mundëson blerjen e pajisjeve ushtarake përmes Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, ku Departamenti Amerikan i Luftës udhëheq negociatat, prokurimin dhe hapat e tjerë të procesit.
Eksperti i sigurisë Hysen Gecaj e vlerësoi nismën si pozitive, por nënvizoi nevoja të tjera urgjente për FSK-në.
“Kosova ka nevojë për shumëçka dhe për shumë sisteme të mbrojtjes, jo vetëm helikopterë... edhe për mbrojtje kundërajrore, mjete kundër mjeteve të blinduara dhe dronë,”tha ai.
Në të njëjtën linjë, eksperti Arben Dashevci e quajti zhvillimin hap të rëndësishëm për avancimin e FSK-së, duke theksuar se
“Viti 2026 do të jetë vit i nënshkrimit të shumë marrëveshjeve për plotësimin e kapaciteteve mbrojtëse.”
Përveç planit për pajisje ajrore, Maqedonci bëri të ditur se Qendra për Studime Universitare e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka marrë për herë të parë riakreditimin pesëvjeçar, duke kaluar nga akreditimi trevjeçar.











