Komuniteti Mysliman bën apel: shmangni dhunën, institucionet të dëgjojnë kërkesat e qytetarëve
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë reagoi për protestat e njëjaveshe në Tiranë, duke kërkuar vetëpërmbajtje dhe dialog. Institucioneve u kërkohet t’u përgjigjen me seriozitet kërkesave të qytetarëve.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen prej një jave në Tiranë, duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje, dialog dhe përgjegjësi nga të gjitha palët, si dhe një përgjigje serioze nga institucionet ndaj kërkesave të qytetarëve.
Në një deklaratë zyrtare, KMSH shprehu shqetësim për çdo përshkallëzim që mund të cenojë paqen sociale, sigurinë dhe bashkëjetesën, duke theksuar se e drejta për t’u shprehur dhe për të protestuar është thelbësore, por duhet shoqëruar me respekt ndaj tjetrit dhe shmangie të çdo forme dhune.
Institucionit fetar u kërkoi palëve të tregojnë “maturi dhe përgjegjësi”, të shmangin gjuhën nxitëse dhe urrejtjen, si dhe të vendosin në qendër dinjitetin njerëzor, sigurinë dhe të mirën e vendit.
KMSH nënvizoi se çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes dialogut, dëgjimit të ndërsjellë dhe respektimit të ligjit e institucioneve, duke kujtuar se Shqipëria është shtëpia e përbashkët ku vlerat e paqes dhe të ardhmes së vendit tejkalojnë çdo dallim politik apo shoqëror.
Deklarata përmbyllet me një mesazh frymëzues për qetësi dhe mirëkuptim, ku theksohet se fjala e urtë dhe dialogu janë rruga drejt zgjidhjeve të drejta.











