Kompany qëndron në stol gjatë fitores 6-1 të Bayern; Eberl: Presim ta kemi gati ndaj Arsenalit
Bayern mposhti Leipzigun 6-1, por trajneri Vincent Kompany nuk u ngrit nga stoli për shkak të një virusi dhe një shqetësimi në ije. Drejtori sportiv Max Eberl tha se pritet të jetë në dispozicion për ndeshjen me Arsenalin në Champions League.

Bayern i Mynihut fitoi bindshëm 6-1 ndaj Leipzigut të shtunën, ndërsa vëmendjen e mori fakti se trajneri Vincent Kompany e kaloi gjithë ndeshjen i ulur në stol.
Sipas klubit, tekniku belg po përballet me një virus dhe një problem në ije, të cilat e kufizuan në lëvizje dhe e penguan të ecte apo të ngjiste shkallët me lehtësi.
Drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, theksoi se stafi e kishte situatën nën kontroll dhe se skuadra në fushë e dinte detyrën.
“Nëse fiziku i tij nuk ia del dot duhet ta pranojë, por asistentët e trajnerit e dinin se çfarë duhet të bënin, ashtu sikurse edhe lojtarët në fushë. Presim që ai të jetë në dispozicion për ndeshjen kundër Arsenalit në Ligën e Kampioneve.”
Fitorja e thellë ndaj Leipzigut vjen në prag të sfidës së rëndësishme në Champions League kundër Arsenalit, ku Bayerni shpreson të ketë Kompanyn sërish aktiv në bankinë.











