KE dënon dhunën në protestat në Shqipëri; nuk përmend shprehimisht akuzat për forcën policore
Komisioni Europian reagoi për protestat në Tiranë dhe qytete të tjera duke dënuar zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve dhe dëmtimin e pronës. Deklarata nuk adreson në mënyrë të drejtpërdrejtë akuzat për dhunë policore ndaj studentëve dhe të miturve.

Komisioni Europian ka dalë me një deklaratë pas protestave në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, duke dënuar aktet e dhunës dhe dëmtimet e pronës. Reagimi, i bërë publik të shtunën, nuk përfshin një përmendje të drejtpërdrejtë të akuzave për përdorim të tepruar të forcës nga Policia e Shtetit.
Në tekstin zyrtar, KE nënvizon se dënon zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimin e pronës publike e private, duke theksuar se përgjigjja ndaj dhunës duhet të jetë e ligjshme dhe proporcionale.
“Ne dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe reagimi ndaj saj duhet të mbetet brenda kufijve të ligjit dhe të jetë proporcional.”
Komisioni kërkon vënien para drejtësisë të personave përgjegjës, pa specifikuar nëse kjo përfshin edhe punonjës policie të denoncuar për dhunë.
“Përgjegjësit duhet të mbahen para drejtësisë, përmes një procesi të rregullt ligjor.”
Më tej, KE rikujton se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore që duhet të respektohen dhe ushtrohen paqësisht, ndërsa në përfundim mirëpret angazhimin e autoriteteve shqiptare për të garantuar të drejtën për të protestuar.
“Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.”
Raportimet për përdorim plumbash gome në protestat e fundit u përmendën nga Reuters, ndërsa jurisprudenca e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut thekson domosdoshmërinë e proporcionalitetit dhe hetimeve efektive në raste të dhunës, pa e ndaluar kategorikisht këtë mjet. Në këtë sfond, deklarata e KE-së ka ngjallur pyetje mbi mungesën e një qëndrimi të qartë për akuzat ndaj policisë.











