Kapet në Vlorë me katër armë pa leje; arrestohet 40-vjeçari, shoqëruesi nën hetim
Policia e Selenicës ndaloi një automjet te “Ura e Vodicës” dhe gjeti një pushkë me optikë, tre armë gjahu dhe 16 fishekë. Një 40-vjeçar u arrestua, ndërsa 38-vjeçari që ishte me të u procedua në gjendje të lirë.

Një 40-vjeçar u arrestua në flagrancë në Vlorë, pasi u kap duke udhëtuar me automjet ku mbante pa leje një pushkë me pajisje optike, tre armë gjahu dhe 16 fishekë. Ndërkohë, 38-vjeçari që e shoqëronte u vu nën hetim në gjendje të lirë.
Kontrolli u krye nga Policia e Selenicës, pas informacioneve operative se një person po qarkullonte i armatosur. Automjeti u ndalua në zonën e quajtur “Ura e Vodicës”.
Gjatë kontrollit, u sekuestruan një pushkë me optikë të montuar, tre armë gjahu dhe 16 fishekë gjahu. Sipas të dhënave, njëra prej armëve të gjahut i përkiste 38-vjeçarit që udhëtonte me të.
Në pranga përfundoi Sh. B., 40 vjeç, banues në fshatin Mavrovë, ndërsa F. B., 38 vjeç, po nga i njëjti fshat, u procedua penalisht në gjendje të lirë. Materialet iu referuan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.
Autoritetet kujtojnë se çdo person prezumohet i pafajshëm derisa fajësia të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.











