IDU i kërkon Ramës të shpallë zgjedhje të parakohshme, mes shqetësimeve për dhunën ndaj protestuesve
Unioni Ndërkombëtar i Demokracisë i bën thirrje kryeministrit Edi Rama të thërrasë zgjedhje të parakohshme, duke kërkuar hetime për përdorimin e forcës ndaj protestuesve dhe garanci për proces zgjedhor të lirë nën vëzhgim ndërkombëtar.

Unioni Ndërkombëtar i Demokracisë (IDU) i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare në Shqipëri, në një deklaratë për situatën politike pas protestave studentore të nisura më 13 tetor në Tiranë.
Organizata shprehet e shqetësuar për përshkallëzimin e tensioneve dhe raportimet për përdorimin e dhunës ndaj protestuesve, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të praktikave të tilla dhe hetime të pavarura për çdo rast të forcës së tepruar nga policia.
Sipas deklaratës, IDU apelon për zgjedhje “të lira dhe të ndershme”, me respekt të plotë për lirinë e medias, administratë zgjedhore të pavarur dhe akses të pakufizuar për vëzhguesit ndërkombëtarë, përfshirë ODIHR-in. Organizata kundërshton po ashtu përpjekjet për të paraqitur lëvizjen e gjerë të studentëve dhe qytetarëve si produkt të ndërhyrjeve të huaja.
Në reagim theksohet se raportimet për përdorimin e plumbave prej gome, gazit lotsjellës dhe granatave trullosëse ndaj turmave ku shumica janë studentë janë “alarmante”, dhe kërkohet përmbajtje maksimale nga autoritetet dhe respektim i të drejtave themelore të qytetarëve për tubim paqësor dhe liri shprehjeje.
Kush është IDU
IDU është themeluar në vitin 1983 në Londër dhe bashkon mbi 80 parti të qendrës së djathtë, konservatore dhe kristiandemokrate në mbarë botën. Ndër nismëtarët përmenden Margaret Thatcher, George H. W. Bush, Helmut Kohl dhe Jacques Chirac, ndërsa aktualisht organizata drejtohet nga ish-kryeministri kanadez Stephen Harper.
Në mbyllje të deklaratës së saj për Shqipërinë, organizata shprehet se mbështet aspiratat e qytetarëve për qeverisje të përgjegjshme, sundim të ligjit dhe të ardhme europiane.











