Ibrahimaj: 38 degë bankash dhe 42 bankomate të dëmtuara gjatë protestave; bën thirrje të ndalë dhuna
Delina Ibrahimaj publikoi foto të dëmeve në biznese gjatë protestave të ditëve të fundit, duke raportuar 38 degë bankare dhe 42 bankomate të dëmtuara në të gjithë vendin. Ajo kërkoi që zëri i studentëve të dëgjohet, por dënoi aktet shkatërruese.

Delina Ibrahimaj bëri publike sot në rrjete sociale foto të dëmeve të shkaktuara ndaj bizneseve gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë dhe në vend, duke njoftuar se janë dëmtuar 38 degë bankare dhe 42 bankomate.
Në postimin e saj në Instagram, ajo denoncoi dëmtimet e bizneseve, pronave, si edhe të infrastrukturës bankare. Sipas saj, këto akte kanë cënuar shërbimet e përditshme për qytetarët dhe bizneset.
Ibrahimaj theksoi se kërkesat e studentëve duhet të merren seriozisht dhe se zëri i tyre duhet të dëgjohet, por e cilësoi të papranueshme shoqërimin e protestave me akte shkatërrimi.
“38 degë bankare dhe 42 ATM të dëmtuara në të gjithë vendin, duke cenuar shërbimet e përditshme për qytetarët dhe bizneset... Askush nuk fiton nga kjo dhunë, pasojat do i vuajnë të gjithë. Kjo situatë duhet të marrë fund!”
Ajo bëri thirrje që situata të qetësohet dhe dëmet ndaj pronës të mos përsëriten.











