I mitur plagoset me mjet të mprehtë në Pejë, policia arreston të dyshuarin
Një i mitur u plagos sot në rrugën “Onufri” në Pejë nga një mjet i mprehtë. Policia njoftoi se i dyshuari, po ashtu i mitur, është arrestuar dhe hetimet po vazhdojnë.

Një i mitur ka pësuar lëndime trupore pas një sulmi me mjet të mprehtë të shtunën pasditë në rrugën “Onufri” në Pejë, rreth orës 15:50. Policia bëri të ditur se i dyshuari, gjithashtu i mitur, është arrestuar.
Zyrtari për informim i Policisë së Pejës, Sheremet Elezaj, tha se njoftimi fillestar erdhi nga emergjenca e spitalit, ku viktima ishte dërguar për trajtim mjekësor për plagë të shkaktuar me mjet të mprehtë.
“Njësitet e nevojshme policore menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe, sipas hetimeve fillestare, dyshohet se viktima, mashkull i mitur, është sulmuar me mjet të mprehtë nga një person tjetër, po ashtu mashkull i mitur, në rrugën ‘Onufri’ në Pejë. I dyshuari është arrestuar”, deklaroi Elezaj.
Sipas policisë, veprimet e mëtejshme hetimore janë duke u ndërmarrë në koordinim me institucionet përkatëse.











