Hadribeaj rrëzohet në sekondën e fundit, humb shansin për titullin e botës
Ermal Hadribeaj u mposht me nokaut në çastet e fundit të duelit ndaj Sebastian Fundorës, duke pësuar humbjen e parë në karrierën profesioniste. Shqipëtari nuk arriti të marrë kurorën botërore, pas një meçi ku iu zbritën pikë në raundet e 3-të dhe të 11-të.

Ermal Hadribeaj u mund me nokaut në sekondën e fundit të përballjes për titullin e botës kundër Sebastian Fundorës, duke e mbyllur mbrëmjen pa trofe dhe me humbjen e tij të parë në boksin profesionist.
Shqiptari e nisi sfidën me vendosmëri, duke kërkuar trupin e kundërshtarit dhe boshllëqet në gardën e tij, por me kalimin e raundeve Fundora e mori kontrollin, rriti ritmin dhe e goditi vazhdimisht në pjesën e mesit.
Gjatë meçit, Hadribeaj u penalizua me zbritje pikësh për mbajtje në raundin e tretë dhe sërish në të njëmbëdhjetin. Fundora gjeti momentin vendimtar në sekondat e fundit, kur një e majtë e pastër e dërgoi shqiptarin në tapet.
Me këtë rezultat, Hadribeaj shkon në bilancin 23 fitore, 1 humbje dhe 1 barazim. Nga ana tjetër, Fundora, 28 vjeç, shënoi fitoren e pestë radhazi që prej disfatës me nokaut ndaj Brian Mendoza-s në prill të vitit 2023.
Pas ndeshjes, Fundora tha se objektivi i radhës është unifikimi i titujve, duke përmendur si kundërshtarë të mundshëm Jaron Ennisin dhe Josh Kellyn.
“Dëshiroj të luftoj për t'u bërë kampion i padiskutueshëm në këtë kategori”, deklaroi Fundora pas meçit.
Hadribeaj, që stërvitet dhe jeton në Miami, fitoi të drejtën për të sfiduar për titull pasi mposhti Bakary Samake, i pamposhtur deri në atë duel.











