Gurë ndaj selisë së PS në Tiranë; persona të armatosur me shkopinj qëndrojnë brenda, dalin pas mbërritjes së policisë
Një grup studentësh u afrua të dielën te selia e Partisë Socialiste në Tiranë, ku u hodhën gurë dhe pllaka drejt godinës, duke thyer xhama. Sipas raportimeve, brenda qëndronin persona me shkopinj për ta mbrojtur selinë, ndërsa u panë të dilnin vetëm pasi mbërriti policia.

Një incident u regjistrua të dielën pranë selisë së Partisë Socialiste në Tiranë, kur një grup studentësh u afrua te godina dhe u hodhën disa herë gurë dhe pllaka të shkëputura nga Rruga e Durrësit, duke shkaktuar thyerje xhamash.
Sipas të dhënave, prej disa ditësh brenda selisë po qëndron një grup personash të pajisur me shkopinj, me detyrën për ta mbrojtur godinën nga sulme të papritura. Ky mision është besuar kreut të INUK-ut, Rigers Sheqeri, me udhëzim nga kryeministri Edi Rama.
Gjatë momentit të goditjeve me gurë, asnjë prej personave që ndodheshin brenda nuk doli për të ndërhyrë. Godina qëndroi për minuta nën breshëri, derisa në zonë u afrua policia.
Në pamje të publikuara në rrjetet sociale nga gazetari Isa Myzyraj, shihet se nga selia dolën disa persona, mes tyre edhe Rigers Sheqeri. Dalja e tyre ndodhi pasi policia kishte mbërritur dhe grupi i studentëve ishte larguar.
Nga incidenti u lanë pas xhama të thyer në selinë e PS-së, ndërsa mbeten shqetësime se situata mund të përsëritet.











