Gjykata e Korçës liron dy të rinjtë e arrestuar pas protestës, hetim me “detyrim paraqitjeje”
Dy të rinjtë e ndaluar tre ditë më parë pas protestës në juglindje u lanë sot të lirë nga Gjykata e Korçës. Ata do të hetohen në gjendje të lirë dhe do të paraqiten një herë në muaj te oficeri i Policisë Gjyqësore.

Gjykata e Korçës ka vendosur sot lirimin e dy të rinjve të arrestuar tre ditë më parë pas pjesëmarrjes në një protestë në juglindje të vendit. Bëhet fjalë për F.L., 21 vjeç, dhe O.K., 19 vjeç.
Sipas materialeve gjyqësore, të dy u ndaluan nga policia me akuzat e shkatërrimit të pronës dhe kundërshtimit të forcave të rendit.
Prokuroria e Korçës kërkoi që ndaj tyre të caktohej masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, kërkesë që u pranua nga gjykata.
Me këtë vendim, të rinjtë lirohen nga paraburgimi dhe do të hetohen në gjendje të lirë, duke u paraqitur një herë në muaj pranë oficerit të Policisë Gjyqësore.











