Gjest paqeje në Tiranë: të rinjtë u shtrëngojnë dorën policëve në ditën e katërt të protestës
Mbrëmjen e së premtes, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestues të rinj u afruan te forcat e rendit, u shtrënguan duart dhe theksuan se nuk e kanë me policinë. Momenti u shoqërua me thirrje paqeje, këndim të himnit dhe shpërndarje uji, ndërsa një shef policie kërkoi qetësi ose shpërndarje.

Mbrëmjen e së premtes në Tiranë, në ditën e katërt të protestës së të rinjve, një grup prej tyre u afrua te Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe u shtrënguan duart me efektivët.
Protestuesit u thanë policëve se nuk kanë asgjë personale me ta dhe se shënjestra e tyre nuk është forca e rendit. Ata nisën të thërrasin “Hiqni kapelat” dhe më pas kënduan himnin kombëtar.
Një i ri solli disa shishe me ujë për efektivët, duke thënë: “Kaq lekë kisha me vete”. Momenti u përshkrua nga të pranishmit si një gjest paqeje mes palëve në terren.
Sakaq, një shef policie u kërkoi protestuesve të shpërndahen ose të vijojnë qetësisht, duke theksuar se “s’kanë nevojë për ujë policët”.
Të rinjtë u përgjigjën se nuk kanë asgjë me Policinë e Shtetit, por me kryeministrin Edi Rama, për të cilin kërkuan largimin.











