Gjermania rrit taksën e duhanit: pakoja drejt 12 eurove deri në vitin 2030
Bundestagu ka miratuar rritje graduale të taksave të duhanit, me synim të ardhura shtesë prej 12 miliardë eurosh në katër vjet. Çmimi i paketës standarde pritet të afrohet me 12 euro deri në vitin 2030, ndërsa disa marka premium mund të arrijnë 14 euro.

Bundestagu ka miratuar një reformë për rritje graduale të taksave të duhanit në Gjermani, me qëllim që deri në vitin 2030 çmimi i një pakoje standarde cigaresh të afrohet te 12 euro. Aktualisht një pako me 20 cigare kushton mesatarisht rreth 8.05 euro.
Sipas planit, çmimet do të ngrihen çdo vit: në 2027 pritet të jenë rreth 8.77 euro për pako, në 2028 rreth 9.56 euro, në 2029 rreth 10.42 euro dhe në 2030 rreth 11.36 euro. Disa marka premium mund të shkojnë deri në 14 euro për pako, duke e afruar Gjermaninë me nivelet e disa vendeve të tjera evropiane, por ende nën Irlandën, Francën dhe Holandën.
Qeveria synon të rrisë të ardhurat nga taksat e duhanit me rreth 12 miliardë euro gjatë katër vjetëve. Të hyrat shtesë vlerësohen në rreth 1.5 miliardë euro në vitin 2027 dhe deri në rreth 4.5 miliardë euro në vitin 2030. Vitin e kaluar, nga ky zë janë mbledhur 17.6 miliardë euro.
Industria e duhanit paralajmëron se çmimet më të larta mund të nxisin tregtinë e paligjshme ose blerjet nga vende të tjera të BE-së, duke goditur shitësit ligjorë. Deputeti i CDU-së, Carsten Brodesser, kërkoi rritje më të moderuara, duke argumentuar se shtrenjtimi i madh mund të ulë të hyrat tatimore dhe të dëmtojë tregtinë e ligjshme, por propozimi i tij nuk kaloi.
Nga ana tjetër, deputeti socialdemokrat Ingo Vogel tha se reforma, përveç balancimit të buxhetit, ka edhe objektiva shëndetësore për ta bërë konsumin e nikotinës më pak tërheqës. Ai theksoi se janë marrë në konsideratë paralajmërimet e doganave për rrezikun e zgjerimit të tregut të zi. Tatimet për purot dhe cigarilot do të rriten më pak se sa ishte planifikuar fillimisht, ndërsa taksat për lëngjet e cigareve elektronike do të jenë pak më të larta se pritshmëritë.
Partitë politike rezultuan të ndara: AfD dhe Die Linke votuan kundër, ndërsa të Gjelbrit mbështesin parimisht taksa më të larta, por i konsiderojnë rritjet e planifikuara si të pamjaftueshme. Rreth 19% e personave mbi 15 vjeç në Gjermani pinë duhan; Qendra Gjermane për Kërkimin e Kancerit vlerëson rreth 131 mijë vdekje në vitin 2023 nga sëmundje të lidhura me duhanin. Hapi i radhës është votimi në Bundesrat, ku miratimi pritet të kalojë pa kundërshtime.











