Gazetari Taulant Kopliku: U godita nga polici pranë selisë së PS dhe më fshinë pamjet
Mesditën e së dielës para selisë së Partisë Socialiste ka pasur përplasje. Gazetari Taulant Kopliku thotë se u godit nga një efektiv policie dhe se pamjet që filmoi iu fshinë nga telefoni.

Mesditën e së dielës, para selisë së Partisë Socialiste, pati përplasje të dhunshme. Gazetari Taulant Kopliku, i cili ndodhej në krye të detyrës, deklaroi se u godit nga një punonjës policie dhe se pamjet që kishte regjistruar iu fshinë nga telefoni.
Sipas rrëfimit të tij gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë me gazetaren Armela Ferko, Kopliku u afrua për të filmuar një grup personash që dolën nga selia e PS me hunj dhe bishta kazmash e lopatash.
Ai pretendon se pas shpine iu afrua një efektiv i njësisë “Shqiponja”, të cilin e përshkroi si drejtues, i mori telefonin dhe e goditi. Më pas, pas ndërhyrjes së kolegëve të tij gazetarë, telefoni iu kthye, por pamjet e regjistruara nuk ishin më aty.
“Pasi regjistruam përballjen me forcat ‘shqiponja’ pamë një grup persona që dolën nga selia e PS me hunje dhe bishta kazmash e lopatash të cilët shkova t’i filmoj. Pas shpinës time u afrua një punonjës i ‘shqiponjave’... ma ktheu telefonin, por pamjet që kisha filmuar ishin fshirë. Jam goditur në shpatull.”
Kopliku shtoi se brenda selisë kishte civilë pa mjete identifikimi që po dhunonin qytetarë dhe theksoi se policia duhej të ndërhynte për t’i larguar ata.











