Gaz lotsjellës dhe ujë me presion në ditën e gjashtë të protestës; nisin shoqërimet në Tiranë
Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit para Ministrisë së Arsimit. Pas përshkallëzimit, turma u zhvendos drejt qendrës së Tiranës, ku nisën shoqërimet e para.

Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion të shtunën, në ditën e gjashtë të protestës së studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë, për të shpërndarë turmën e mbledhur para Ministrisë së Arsimit. Pas përshkallëzimit të situatës, protestuesit u zhvendosën drejt qendrës së kryeqytetit, në hyrje të Rrugës së Durrësit, ku efektivët nisën shoqërimet e para.
Sipas raportimeve, përplasjet shpërthyen pasi protestuesit goditën me gurë dhe molotov autobotin e policisë që përdoret për hedhjen e ujit. Forcat e rendit u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Bilanci i pesë ditëve të para të protestave shkon në 272 të lënduar. Nga këta, 169 janë punonjës policie, 82 protestues dhe 21 kalimtarë.
Protesta e sotme erdhi në vazhdën e mobilizimeve të studentëve dhe gjimnazistëve, të cilët prej gjashtë ditësh kanë qëndruar para Ministrisë së Arsimit.











