Gaz lotsjellës dhe ujë me presion në Bruksel pas protestave studentore për koston e arsimit
Qindra të rinj protestuan në qendër të Brukselit kundër rritjes së kostove të arsimit dhe reformave. Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa një makinë u përmbys nga disa protestues.

Qindra persona, kryesisht të rinj, dolën sot në protestë në qendër të Brukselit kundër rritjes së kostove të arsimit dhe reformave që, sipas grupeve studentore, rrezikojnë ta bëjnë arsimin e lartë më pak të qasshëm. Disa prej protestuesve u përplasën me policinë.
Sipas një dëshmitari, forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa disa protestues përmbysën një makinë. Shumë pjesëmarrës mbanin maska dhe thërrisnin slogane me përmbajtje antifashiste.
Ministri i Brendshëm belg, Bernard Quintin, deklaroi në platformën X se “ajo që po ndodh në Bruksel nuk është më thjesht një protestë” dhe paralajmëroi se “do të përdoren të gjitha mjetet e nevojshme për të rivendosur rendin përballë trazirave”.
Protesta të ngjashme u mbajtën edhe në qytetin lindor të Liezhit, ku studentët demonstruan më herët gjatë këtij muaji për çështje që lidhen me sistemin arsimor në gjuhën frënge, duke përmendur rritjen e kostove dhe vështirësitë në qasjen ndaj materialeve të studimit.
Lëvizja në Belgjikë vjen pjesërisht e frymëzuar nga zhvillimet në Francë, ku protestat nisën muajin e kaluar mbi financimin e arsimit dhe kushtet në shkolla, për t’u shndërruar më pas në një valë më të gjerë që prek çështje të pabarazisë, shpenzimeve publike dhe standardeve të jetesës.











