Francesco Totti në autobiografi: nga rreziku i Covid-it te sfida pas lamtumirës dhe lidhja me Romën
Në librin “Oltre”, Francesco Totti rrëfen periudhën më të vështirë të jetës: humbjen e të atit, sëmundjen e rëndë nga Covid-19 dhe boshllëkun pas tërheqjes nga futbolli. Ai flet edhe për ofertat për t’u rikthyer, marrëdhëniet me klubin dhe raportin me Luciano Spallettin.

Francesco Totti ka zbuluar episode të panjohura nga jeta e tij në autobiografinë “Oltre”, dhjetë vjet pas tërheqjes nga futbolli i luajtur. Ish-kapiteni i Romës rrëfen se vjeshta e vitit 2020, kur humbi të atin Enzo dhe u sëmur rëndë nga Covid-19, ishte periudha më e errët e tij.
Sipas tij, pas ndarjes nga jeta e babait më 12 tetor 2020, vetë u përball me temperaturë të lartë, kollë të vazhdueshme dhe vështirësi në frymëmarrje. Testet në Campus Bio-Medico të Romës treguan polmonit në të dy mushkëritë dhe saturim oksigjeni 88%. Totti thotë se refuzoi shtrimin:
“Nuk dua të kem fundin e babait tim; nëse duhet të vdes, dua të vdes në shtëpi.”
Ai tregon se Pier Silvio Berlusconi, përmes Silvia Toffanin, i ofroi një avion privat për ta dërguar në Milano tek mjeku Alberto Zangrillo. Totti e refuzoi, ndërsa profesori e këshilloi në distancë të flinte përmbys për të lehtësuar frymëmarrjen. Sipas rrëfimit, kjo teknikë solli përmirësim të menjëhershëm: temperatura ra dhe saturimi u rrit në 99%, edhe pse ai pranon se ende nuk merr frymë si më parë.
Libri prek edhe boshllëkun pas lamtumirës në vitin 2017. Totti thotë se rrezikoi depresionin dhe se pas largimit nga Roma pati oferta nga Como dhe Genoa për t’u rikthyer në fushë, por vendosi të mos veshë një fanellë tjetër.
“Gjithë jetën kam veshur vetëm një fanellë dhe kështu duhej të mbetej,”shkruan ai, duke lënë të hapur idenë e një roli të ardhshëm te Roma.
Sa i përket periudhës si drejtues nën administrimin Pallotta, Totti shpjegon se u largua sepse nuk donte “të bënte rolin e statujës” dhe kërkonte përfshirje reale në sektorin teknik. Ai thotë se është kërkuar për 100-vjetorin në një rol formal, por dëshiron të kontribuojë me njohuritë e tij në futboll dhe të festojë me tifozët.
Për marrëdhënien me Luciano Spallettin, Totti kujton se për vite të tëra raporti ka qenë shumë i mirë, ndërsa tensionet në sezonin e fundit, sipas tij, u nxitën “nga lart”, duke hedhur poshtë idetë se kishte punuar kundër trajnerit. Ai thekson se prioriteti i tij ka qenë gjithmonë Roma dhe tifozët.











