Fatos Çoçoli alarmon për sulm pranë Gjykatës së Lartë: Apel që politika të distancohet nga dhuna
Ekonomisti Fatos Çoçoli ka denoncuar mbrëmjen e djeshme një sulm pranë Gjykatës së Lartë në Tiranë, ku sipas tij u dogj kati i parë i godinës. Ai u bëri thirrje forcave politike dhe mediave të mos glorifikojnë dhunën dhe të mos përdorin të rinjtë në akte vandalizmi.

Fatos Çoçoli deklaroi se mbrëmë, rreth orës 18:45–19:05, pranë fillimit të rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë, u shënjestrua kati i parë i Gjykatës së Lartë. Sipas tij, pas ndezjes së disa koshave të mbeturinave, persona hodhën shishe të mbushura me lëndë djegëse brenda ambienteve të katit të parë, duke shkaktuar zjarr.
Në rrëfimin e tij, Çoçoli pretendon se në veprime u përfshinë fillimisht adoleshentë të maskuar që bllokuan rrugën me kazanë, e më pas grupe të tjera që ndezën zjarrin dhe thyen xhama të godinës. Ai shton se pak metra më tej u dëmtua edhe një pikë shërbimi e telefonisë celulare.
Çoçoli e cilësoi ngjarjen si “sulm të organizuar” që, sipas tij, synon të godasë institucionet kushtetuese dhe rendin. Ai theksoi rëndësinë e dosjeve që ruhen në Gjykatën e Lartë dhe rrezikun që, sipas tij, paraqet dhuna ndaj institucioneve.
Ai u bëri thirrje partive të opozitës të distancohen nga aktet e dhunës që, sipas tij, po kryhen në emër të kërkesave studentore, si dhe u kërkoi mediave të shmangin trajtimin sensacionalist të ngjarjeve.
“Ndaloni glorifikimin e sulmeve ndaj institucioneve dhe pronës private! ... Mbroni të drejtën për protestë dhe, njëkohësisht, të drejtën e qytetarëve për të jetuar e punuar pa frikë!”
Ai theksoi se kundërshtimi politik nuk justifikon shkatërrimin e pronës apo dhunën, duke bërë apel që dhuna të mos kthehet në program politik.











