Ermal Hadribeaj gati për Las Vegas: sfidë për titullin WBC ndaj Sebastian Fundora më 10 tetor
Boksieri shqiptar Ermal Hadribeaj do të përballet më 10 tetor në The Cosmopolitan, Las Vegas, me kampionin e botës në super të mesme të lehtë, Sebastian Fundora. Dueli i organizuar nga PBC pritet të jetë ngjarja kryesore e mbrëmjes.

Ermal Hadribeaj do të luftojë për titullin e botës më 10 tetor në The Cosmopolitan, Las Vegas, ku do të përballet me kampionin e kategorisë super të mesme të lehtë (WBC), amerikanin 28-vjeçar Sebastian Fundora. Përballja është e programuara në orët e para të mëngjesit dhe vjen si ngjarja kryesore e mbrëmjes së organizuar nga Premier Boxing Champions (PBC).
Fundora (24-1-1, 16 KO), i njohur për gjatësi afër dy metrave, shtrirje të madhe të krahëve dhe presion të pandërprerë, synon mbrojtjen e katërt të brezit. Stili i tij agresiv dhe volumi i lartë i goditjeve e kanë bërë një nga emrat më të vështirë të peshës deri në rreth 70 kilogramë.
Kampioni vjen pas një suksesi të theksuar: nokaut teknik në raundin e gjashtë kundër ish-kampionit të unifikuar Keith Thurman më 28 mars, rezultat që i ka forcuar pozitat në divizion.
Në krahun tjetër, Hadribeaj (23-0-1, 8 KO), 32 vjeç, ka siguruar statusin e sfiduesit të detyrueshëm pas një fitoreje me vendim unanim ndaj Bakary Samake në Gjermani. Shqiptari mbetet i pamposhtur në profesionistë dhe hyn në ring me synimin e qartë për të rrëmbyer titullin.
Dueli ka peshë të veçantë për boksin shqiptar, pasi një triumf do ta vendoste Hadribeajn si kampionin e parë botëror në historinë e Shqipërisë. Edhe pse në letër Fundora konsiderohet favorit për shkak të përvojës, gjatësisë dhe fuqisë sulmuese, ecuria e pastër e Hadribeajt e bën atë një sfidant që nuk duhet nënvlerësuar.











