Eli Malaj i bën thirrje qytetarëve të Kosovës t’i bashkohen protestave në Shqipëri
Këngëtarja Eli Malaj ka kërkuar publikisht përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në protestat kundër qeverisë së Edi Ramës. Ajo reagoi pas pesë ditësh demonstratash të nisura nga studentët dhe të rinjtë.

Këngëtarja Eli Malaj u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shkojnë në Shqipëri dhe t’u bashkohen protestave që po zhvillohen prej ditësh kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Reagimi i saj erdhi përmes një postimi në Instagram, ku theksoi nevojën për mbështetje dhe solidaritet mes shqiptarëve.
“Duhet e gjithë Kosova me ardh për Shqipëri! O sot, o kurrë, kemi nevojë për njëri-tjetrin!”
Protestat, të cilat kanë hyrë në ditën e pestë, janë nisur nga studentët dhe të rinjtë. Ata kërkojnë përmirësim të kushteve në arsim, më shumë mundësi punësimi dhe dorëheqjen e Edi Ramës.
Gjatë ditëve të fundit, situata është tensionuar me përplasje mes protestuesve dhe policisë. Është raportuar përdorim i gazit lotsjellës, ujit me presion dhe plumbave të gomës, si dhe dhjetëra të lënduar.
Me këtë mesazh, Malaj i është bashkuar zërave publikë që po reagojnë ndaj zhvillimeve në Shqipëri, duke kërkuar këtë herë edhe përfshirjen e qytetarëve nga Kosova.











