Dita e gjashtë e protestës para Ministrisë së Arsimit: nga këngët te tensionet, lëndohet një gazetare
Protesta e studentëve hyri në ditën e gjashtë me grumbullime para Ministrisë së Arsimit. Pas momenteve festive, situata u tensionua dhe një gazetare u plagos, duke u larguar me ambulancë.

Protesta e studentëve ka hyrë sot në ditën e gjashtë, me grumbullime para Ministrisë së Arsimit, ku janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë. Të rinjtë u panë me dhe pa maska, me flamuj kombëtarë dhe me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, tubimi nisi me këngë dhe valle në mes të rrugës, përballë efektivëve të policisë. Një prej protestuesve u bëri apel bashkëprotestuesve të shmangnin dhunën dhe kërkoi po ashtu që policia të mos ushtronte dhunë ndaj tyre.
Si shenjë revolte, i njëjti protestues grisi publikisht një certifikatë të fituesit të Olimpiadës së Historisë, që i ishte dhënë nga ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini.
Pas pak momentesh qetësie, situata u përshkallëzua dhe nisën përplasjet, përfshirë hedhjen e gurëve në drejtim të forcave të policisë që po qëndronin pranë godinës së ministrisë.
Gjatë tensioneve, një gazetare mbeti e lënduar dhe u largua nga zona me ambulancë.











