Dita e gjashtë e protestës në Tiranë: përplasje me policinë, gazetare e lënduar
Protesta e studentëve në Tiranë hyri në ditën e gjashtë me tensione pranë Ministrisë së Arsimit dhe selisë së Partisë Socialiste. Një gazetare u lëndua dhe u largua me ambulancë, ndërsa disa protestues u shoqëruan në komisariat.

Studentë dhe qytetarë u mblodhën të dielën për ditën e gjashtë radhazi të protestës në Tiranë, fillimisht pranë Ministrisë së Arsimit, ku u hodhën thirrje për dorëheqjen e kryeministrit.
Grumbullimi nisi me këngë e vallëzim në mes të rrugës përpara efektivëve të Policisë. Një nga protestuesit u bëri thirrje pjesëmarrësve të shmangin dhunën dhe kërkoi të njëjtën nga policia; si shenjë revolte ai grisi certifikatën që i ishte dhënë nga ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini, si fitues i Olimpiadës së Historisë.
Pas momenteve qetësie, tensionet u rritën dhe drejt forcave të policisë pranë Ministrisë së Arsimit u hodhën gurë. Nga përplasjet mbeti e lënduar një gazetare, e cila u largua nga zona me ambulancë.
Policia lëvizi turmën drejt qendrës së qytetit dhe shoqëroi disa prej protestuesve në komisariate, sipas asaj që u pa në terren.
Protestuesit u ndalën më pas para selisë së Partisë Socialiste, ku goditën ndërtesën me gurë, duke dëmtuar veçanërisht pjesën e derës dhe duke thyer xhama.











