Debat në studio: Mërtiri thotë se deputetët e merituan vezët, Dudushi kundërshton dhunën
Gjatë një debati televiziv, Ergys Mërtiri tha se zemërimi qytetar është i akumuluar dhe se deputetët “e kanë pasur hak të qëllohen me vezë”. Dudushi kundërshtoi, duke theksuar se policia mbron institucionet dhe se cenimi i dinjitetit është dhunë.

Analisti Ergys Mërtiri dhe moderatori Dudushi u përplasën në një debat televiziv mbi protestat e fundit, ku Mërtiri deklaroi se zemërimi qytetar është i grumbulluar prej kohësh dhe nuk mund të ndalet me gaz lotsjellës apo ujë me presion.
Sipas Mërtirit, edhe nëse protesta aktuale ndalet, qytetarët do të rikthehen në rrugë për sa kohë pakënaqësitë ndaj qeverisë mbeten të pazgjidhura. Ai ironizoi edhe vendimin për largimin e pllakave të bulevardit, duke thënë: “Ta bëjmë Tiranën me dhe, se kryeministri ka frikë nga gurët dhe pllakat e bulevardeve”.
Mërtiri argumentoi se protestuesit po reagojnë ndaj një realiteti ku qytetarët ndihen të shtypur dhe të vjedhur, ndërsa qeveria, sipas tij, nuk bën lëshime as përballë protestave masive.
Ndërkohë, Dudushi theksoi se policia nuk mbron një individ, por institucionet dhe rendin. Ai shtoi se përshkallëzimi i protestës sjell rritje të intensitetit të reagimit policor dhe kundërshtoi çdo formë dhune apo cënim të dinjitetit të deputetëve.
Gjatë shkëmbimit të replikave, Mërtiri u shpreh se deputetët “e kanë pasur hak të qëllohen me vezë”. Dudushi reagoi se “nuk ke të drejtë të thuash kush e ka hak”, duke e konsideruar edhe vezët një element dhune që synon të cenojë dinjitetin. Ai përmendi edhe “terrorizmin online” ndaj atyre që dolën kundër flamingove, duke e cilësuar si pjesë të së njëjtës prirje për përshkallëzim.











